KOSID: Menaxhimi i mbeturinave përmes Ekonomisë Cirkulare, zgjidhja kundrejt degradimit mjedisor

Prishtinë, 29 Qershor, 2017 – Në kuadër të “Javës së Diplomacisë Klimatike 2017 në Kosovë,” Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID), në bashkëpunim me Zyrën e Bashkimit Evropian, organizuan tryezën diskutuese me temën “Avancimi i zbatimit të menaxhimit të mbeturinave në Kosovë me Ekonominë Cirkulare.” Diskutimet gjatë tryezes shtjelluan situatën aktuale dhe potencialin e Kosovës për zbatimin e politikave dhe planeve të veprimit për avancimin e strategjive dhe implementimit të menaxhimit të mbeturinave të vendit me Ekonominë Cirkulare përmes një zhvillimi të duhur të mekanizmave ligjorë, ekonomik dhe infrastrukturorë.

Udhëheqësi i Drejtorisë për Gjendjen e Mjedisit në Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK), Afrim Berisha, tha se si Agjenci, fokusin primar e kanë monitorimin e gjendjes së mbeturinave dhe mbledhjen e informacioneve nga kompanitë dhe komunat për sistemin e mbeturinave. “Përmes hulumtimeve tona, kemi vërejtur se struktura e mbeturinave në Kosovë përfshinë 32% mbeturina të riciklueshme, përderisa vetem 5% prej tyre riciklohen. Andaj, duhet punuar tutje në zhvillimin e strategjive të veçanta të cilat kanë si fokus ripërdorimin dhe reciklimin e mbeturinave – strategji të cilat do drejtonin Kosovën kah zhvillimi i qendrueshëm në hap me avancimet e vendeve të rajonit e më gjerë,” tha Berisha. 

Dajana Berisha, Drejtoreshë Ekzekutive e Forumit për Iniciativa Qytetare (FIQ), organizatë anëtare e KOSID, u shpreh se “menaxhimi i mbeturinave mbetet problematikë e vendit e cila prek çdo individ, operator ekonomik, donator etj, - andaj, ky fakt nuk duhet trajtuar si problem i një sektori të vetëm, por gjithpërfshirës”. Sipas znj. Berisha, “tranzicioni i menaxhimit të mbeturinave në Kosovë me Ekonominë Cirkulare ka potencialin të nxisë përfitime ekonomike, sociale, dhe mjedisore, dhe si rezultat, kuptimi i natyrës së këtij sistemi është i rëndësishëm për krijimin e politikave dhe strategjive efektive insitucionale në vend.”

 

Kurse Gazmend Selimi, Menaxher i Programit nga Zyra e BE-së në Kosovë, tha se që nga viti 2003, Bashkimi Evropian është donator kryesor në mbështetjen e sektorit të mjedisit në Kosovë. “Me ndihmën e donatorëve, Kosova duhet të zgjedhë një model ekonomik në aspektin e menaxhimit efektiv të mbeturinave i cili është i qëndrueshëm dhe fitimprurës, dhe duhet të zhvillojë rregullativën ligjore konform me modelin e Bashkimit Evropian i cili përqafon konceptin e Ekonomisë Cirkulare për një zhvillim të qëndrueshëm,” u shpreh Selimi.  

Në anën tjeter, Driton Vatovci, Eksperti ligjor në GIZ për Menaxhimin e mbeturinave urbane, tha se “me përfshirjen e Ekonomisë Cirkulare në menaxhimin e mbeturinave, Kosova mund të përfitojë në dy aspeke kryesore – në zhvillimin ekonomik dhe mbrojtjen e mjedisit.” Vatovci gjithashtu informoi rreth iniciativës së GIZ, Gara për Mjedis të Pastër, që ka për qëllim përmirësimin e shërbimeve të menaxhimit të mbeturinave në komunat e Kosovës, njëherit duke asistuar vendin në reduktimin e tyre.  

Udhëheqësja e diskutimit, respektivisht përfaqësuesja nga KOSID, Rinora Gojani, tha se ndër të tjera, vetëdijësimi qytetar, zhvillimi i kapacitetit njerëzor, si dhe orfimi i incentivave, janë të rëndësishme për të paraqitur një zgjidhje më të mençur për mbrojtjen e mjedisit në Kosovë. Tutje, Gojani theksoi rëndësinë e adaptimit të politikave shtetërore në hap me trendet dhe direktivat e vendosura nga Bashkimi Evropian, pasi që Ekonomia Cirkulare po shpalos potencialin për të qenë njëra nga mënyrat më efektive për parandalimin e degradimit mjedisor dhe krijimit të vendeve të punës.

Gjatë diskutimeve me pjesëmarrësit, u pajtua se  përfshirja e Ekonomisë Cirkulare si koncept i ri për menaxhimin e mbeturinave në Kosovë, mund të sjellë përfitime të jashtëzakonshme në nxitjen e rritjes së qëndrueshme ekonomike, kështu duke avancuar mbrojtjen e mjedisit dhe promovimin e produktivitetit të burimeve në vend.

“Java e Diplomacisë Klimatike 2017 në Kosovë” organizohet nga Zyra e BE-së, e cila si qëllim kryesor ka vetëdijësimin e qytetarëve mbi temat rreth ndotjes së ajrit, menaxhimit të mbeturinave dhe efiçiencës së energjisë në vend. 

Artikuj të tjerë