KOSID zhvilloi konferencën e Gjashtë Vjetore Ndërkombëtare për Zhvillim të Qëndrueshëm

E Enjte, 30 Nëntor, 2017 – Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID) gjatë ditës së djeshme mbajti Konferencën e Gjashtë Vjetore Ndërkombëtare e cila u fokusua në politikat e energjisë dhe mjedisit të Kosovës, si dhe në qasjet për avancimin e një agjende të zhvillimit të qëndrueshëm të harmonizuar me procesin e integrimit në Bashkimin Evropian dhe Marrëveshjen e Parisit. Përveç kësaj, konferenca ofroi një kontribut të rëndësishëm në përmbushjen e kërkesave që rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit.

Në fjalën hyrëse, Koordinatori i KOSID, Visar Azemi, u shpreh se pasojat e një sektori energjetik të bazuar në lëndë djegëse fosile, degradimi i papërgjegjshëm i mjedisit, si dhe mos përmbushja e kuadrit rregullator për një treg të liberalizuar të energjisë janë duke rezultuar me kosto të larta për shëndetin publik, me dëmtime të pakthyeshme mjedisore, dhe me një ekonomi jo konkurruese. Azemi tha se KOSID dhe partnerët e saj po vazhdojnë të shtyejnë përpara rëndësinë e eksplorimit të të gjitha burimeve të ripërtërishme të energjisë që mundësojnë decentralizim të gjenerimit të energjisë dhe diversifikim të burimeve energjetike.

Riccardo Serri, Shefi i sektorit për Politikë, Ekonomi dhe Integrim Evropian në Zyrën e BE-së në Kosovë tha se qymyri është burimi kryesor i ndotjes në Kosovë, andaj qëllimi i zyrës së BE-së, në partneritet me Qeverinë e Kosovës dhe organizatat e Shoqërisë Civile është të hulumtojë burimet alternative të energjisë dhe të largohet nga qymyri.

Ndër folësit e kësaj konference ishte edhe Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, i cili u shpreh se zhvillimi i sektorit të energjisë dhe inkorporimi i politikave të gjelbra në vend janë pjesë kyçe e agjendës së Ministrisë. Sa i përket ndërtimit të termocentralit “Kosova e re,” Lluka tha se nuk do të ndërtohet me çdo kusht, por është i domosdoshëm për sigurinë nacionale të furnizimit me energji – andaj, kushtet e kontratës për termocentralin në fjalë janë duke u rishqyrtuar kur merret në konsideratë kosto e lartë e tij dhe fakti që termocentralet aktuale janë ndotës të ambientit. 

Konferenca u nda në dy panele diskutuese. Paneli i parë shqyrtoi reformën e sektorit të energjisë duke qenë se përputhet me detyrimet sipas Traktatit të Komunitetit të Energjisë. Para pjesëmarrësve, paneli gjithashtu diskutoi mbi barrierat konkrete, të tilla si funksionalizimi i linjës transmetuese ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe mënyrat për të kapërcyer pengesat e tilla. Përgjatë diskutimeve u cek se një theks më i madh duhet të vihet në implementimin e BRE-ve në vend të ndërtimit të një termocentrali të ri të bazuar në qymyr. Ky panel u përbë nga zyrtarë të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, Bankës Botërore, KfW, dhe INDEP.

Kurse paneli i dytë i cili përshiu përfaqësues nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Zyra e BE-së në Kosovë, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës, Komuna e Obiliqit dhe Ekspert Mjedisorë, adresoi urgjencën në vendosjen e mekanizmave efektiv zbatues për menaxhimin e mjedisit. Përgjatë diskutimeve u theksua se degradimi mjedisor, ndotja nga prodhimi energjetik me bazë lëndë djegëse fosile, një sektor transporti i vjetër dhe joefikas dhe djegia e parregullt e mbeturinave janë disa nga sfidat më të mëdha me të cilat ballafaqohet Kosova sot.

Prezent në konferencë ishin përfaqësues të institucionet vendore dhe të huaja, shoqëria civile, ekspertë kombëtarë dhe ndërkombëtarë të cilët kontribuan me diskutime konkrete në adresimin e çështjeve me interes të përbashkët në rrugën e Kosovës per zhvillimin e energjisë dhe dekarbonizimin.

Gjatë diskutimeve me pjesëmarrësit, u pajtua se Kosova nuk ka kohë për të humbur dhe se agjenda e zhvillimit të energjisë duhet të prioritizoj diversifikimin e burimeve të energjisë, duke pasur qëndrueshmërinë, sigurinë dhe përballueshmërinë si gurthemelet e politikave të saj të energjisë, përderisa në sektorin mjedisor duhet prioritizuar rritja dhe mbrojtja e hapësirave të gjelbra, menaxhimi i ujërave dhe menaxhimi i mbeturinave.

Foto nga ngjarja: https://web.facebook.com/pg/KOSID.Kosovo/photos/?tab=album&album_id=1718840498150297

Artikuj të tjerë