KOSID mirëpret vendimin e Bankës Botërore për të mbështetur zhvillimin e energjisë së pastër në Kosovë

Prishtinë, 21 Qershor 2018 – Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID), vlerëson vendimin e fundit të Bankës Botërore për të mbështetur zhvillimin e energjisë së pastër në Kosovë dhe në rajon. 

Gjatë javës së kaluar mediat raportuan rreth vendimit të BB-së i komunikuar Qeverisë së Kosovës, se: “Ritmi i ndryshimit të teknologjisë në sektorin e energjisë po lëvizë me shpejtësi, veçanërisht në burimet e energjisë së ripërtëritshme, si asaj solare, përmes erës, ruajtjes, ku çmimet vazhdojnë të bien. Analiza jonë është duke marrë parasysh këto zhvillime dhe ne po e informojmë qeverinë.” 

KOSID vazhdimisht ka theksuar se fokusi në qymyr paraqet barrierë për tranzicionin e energjisë në Kosovë, andaj, KOSID përkrah qasjen e Bankës Botërore për të mbështetur sektorin e energjisë në përputhje me Marrëveshjen e Parisit dhe Traktatin e Komunitetit të Energjisë, duke përfshirë investimet në efiçiencë të energjisë dhe në burime të ripërtëritshme të energjisë.

Me këtë vendim, Banka Botërore përcaktohet për të zbatuar një plan modern, të qëndrueshëm dhe të pastër të energjisë për vendin, e me ndikim pozitiv për gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, dhe ky është një tregues i madh i zbatimit të strategjisë së Bankës Botërore për zhvillimin e gjelbër e në përputhje me parimet e zhvillimit të qëndrueshëm.

Duke e kuptuar rolin vendimtar të Bankës Botërore në avancimin e sektorit të energjisë së pastër në Kosovë, KOSID shpreh gatishmërinë për bashkëpunim në orientimin e sektorit të energjisë në Kosovë drejt investimeve në efiçiencë të energjisë, burime të ripërtëritshme, dhe interkoneksion – investime të cilat mundësojnë diversifikimin e burimeve të energjisë dhe krijimin e sigurisë së energjisë në përputhje me objektivat dhe kriteret e Bashkimit Evropian.

KOSID dhe partnerët e saj vazhdimisht shtyejnë përpara rëndësinë e eksplorimit të të gjitha burimeve të ripërtëritshme të energjisë që mundësojnë decentralizim të gjenerimit të energjisë dhe diversifikim të burimeve energjetike në vend. Andaj, KOSID përkrah qëndrimin e BB-së, përmes së cilës ofrohet mundësia e tranzicionit të sektorit të energjisë në vend, në një model në nivel global i cili ngërthen një ekonomi të qëndrueshme, të besueshme, dhe me bazë energjinë e pastër.

Artikuj të tjerë