Kosova me çmimin më të lartë të energjisë elektrike në rajon

Instituti GAP dhe FIQ kanë publikuar një analizë “Çmimi i Energjisë Elektrike: trendët e ndryshimit dhe ndikimi ekonomik”, e cila trajton metodologjinë e përdorur nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), për të përllogaritur çmimet e energjisë elektrike. Në këtë analizë jepen rekomandime se si Qeveria e Kosovës mund të ndikoj që të mbaj të ulët çmimin e energjisë elektrike. Nga kjo analizë doli se kosovarët paguajnë mesatarisht 52% më shumë për energjie elektrike sesa qytetarët në cilindo shtet tjetër në rajon apo në BE.

Dren Pozhegu hulumtues në institutin GAP ka prezentuar disa faktorë, të cilët sipas tij ndikojnë në rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Sipas tij njëra nga kostot kryesore është kostoja operative dhe e mirëmbajtjes.

“Kosto tjetër ose faktor tjetër është ngritja e tantiemës prej 0, 27cent në 3 euro për çmimin qymyrit, e cila absolutisht do ta ngrit çmimin e energjisë elektrike. Nga kjo rritje e tantiemës Qeveria e Kosovës do të përfitojë 22 milion euro në buxhetin e tyre apo më saktë nëse marrim d.m.th. vetëm qymyrin të cilin e përdorim për prodhimin e energjisë elektrike atëherë Qeveria e Kosovës do të rrisë të hyrat prej 13.5 milion euro. Njëri prej faktorëve të tjerë të cilët ndikojnë në çmimin e energjisë është edhe kosto kapitale. Pas privatizimit të distribucionit është parapa që në distribucion të investohen 300 milion euro në 15 vitet e ardhshme. Këto investime edhe pse definitivisht krijojnë kushte më të mira prapë se prapë do të ngrisin çmimet e energjisë për shkak se investimet kërkojnë kthim të kapitalit, d.m.th. kërkojnë që ai investim të kthehet disi. Edhe kjo është një nga faktorët të cilët ndikon në ngritjen e energjisë elektrike. Faktori kryesor në ngritjen jo fer të energjisë elektrike është humbjet teknike dhe komerciale”, ka thënë Pozhegu.

Sipas tij, faktorë tjetër është edhe eksporti dhe importi. Ai ka thënë se importet janë shumë më të shtrenjta se sa energjia e prodhuar në vend dhe e eksportuar.

Ndërsa, Kushtrim Puka nga Forumi për Iniciativa Qytetare (FIQ), ka shtjelluar problematikën e çmimit të energjisë në krahasim me fuqinë blerëse të kosovarëve dhe në krahasim me vendet e rajonit.

“Kemi fillu dhe kemi analizu gjendjen momentale, gjendjen e energjisë elektrike në krahasim me shtete e rajonit tu i përfshi shtet fqinje e deri te Kroacia edhe Sllovenia por edhe duke i krahaso këto me çmimet mesatare të shteteve të 27 shteteve të Bashkimit Evropian. Çmimi mesatar i energjisë elektrike për kategorinë e amvisërisë e cila është pjesa dërmues e shpenzuesve të energjisë elektrike për konsum deri në 5 mijë kilovat orë për vitin 2012 ka qenë 5.76 cent për kilovat orë në Kosovë. Ky çmim në terma absolut nëse e krahasojmë me vendet e rajonit, Kosova paguan më shtrenjtë se Serbia dhe Maqedonia, ndërsa ka çmim më të ulët të energjisë elektrike se sa Shqipëria, Bosnja Hercegovina dhe vendet tjera”, ka theksuar Puka.

Sipas tij, kosovarët paguajnë mesatarisht 52% më shumë për energjie elektrike sesa qytetarët në cilindo shtet tjetër në rajon apo në BE.

Ai ka theksuar se rritja e çmimit të energjisë ndikon në rritjen e shpenzimeve për banim dhe në rritjen e shpenzimeve për ushqim.

Në bazë të të gjeturave të këtij punimi, Instituti GAP dhe FIQ rekomandojnë qe humbjet komerciale të eliminohen në kohën me të shpejtë të mundur, ndërsa humbjet teknike të zvogëlohen deri në masën optimale. Ata po ashtu kanë kërkuar që Qeveria e Kosovës të ulë TVSH-në për energjinë elektrike. Burimi: /Kosovapress/http://www.kosovapress.com/index.php?cid=1%2C3%2C161533

Artikuj të tjerë