KOSID-i: Megavatë Shtesë Nga Energjia e Erës

Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm nisi të hënën fushatën e dytë vetëdijesuese për efiçiencë energjie dhe energji me burime të ripërtërishme. Organizatat e shoqërisë civile nuk duan shtim megavatësh për vendin me djegie të mëtutjeshme qymyri. Sipas tyre Kosova mund të prodhojë një pjesë të rrymës nga energjia e erës.

Visar Azemi nga KOSID-i ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që në vend se të ndërtojë një termocentral të ri, të fokusohet në politika rigoroze që do të përmirësonin situatën me energji.

“Qëllimi i kësaj kampanje është sensibilizimi i opinionit për prodhimin, çmimin, dhe efiçiencën e energjisë që janë komponentë kyç të sektorit të energjisë, si dhe t’ua bëjë me dije institucioneve që po punojnë në politika energjetike se ‘Kosova e Re’ është e panevojshme dhe nuk duhet ndërtuar,” tha ai. 

Qeveria e Kosovës strategjinë e vet për energjinë ende e bazon në përfitimin e rrymës elektrike nga linjiti, ndërsa ministri i Zhvillimit Ekonomik Fadil Ismajli është për ndërtimin e termocentralit të ri. 

“Termocentrali i ri i Kosovës do t’i përmbushë standardet evropiane sa i përket emetimit të pluhurit dhe efiçiencës”, tha Ismajli në fund të shkurtit kur mori pjesë në një konferencë tjetër të KOSID-it.

Ndërtimin e termocentralit “Kosova e re” Ministria e Zhvillimit Ekonomik e lidh me nevojën e madhe që Kosova dhe rajoni ka për energji.

“Deri në vitin 2030 kërkesat e konsumit për furnizim me energji elektrike në Kosovë përafërsisht do të dyfishohen”, thuhet në përgjigjet e Zyrës për Informim të MZhE-së. 

Por Agron Demi nga Instituti GAP, pjesë e Konsorciumit Kosovar për Zhvillim të Qëndrueshëm paraqiti  disa zgjidhje që termocentrali i tretë kosovar-prodhues i energjisë nga linjiti të mos ndërtohet. 

Demi përmendi eliminimin e humbjeve në rrjet dhe atyre komerciale, ndërsa shtoi se duhet krijuar një plan nacional për efiçiencë që do të ulte shpenzimet e qytetarëve për energji elektrike. 

Në vitin 2012 humbjet në rrjet ishin 36.69 për qind të energjisë së përgjithshme, ndërsa mendohet se energjia nuk faturohet në masën 20 për qind. 

“Siç e dini qeveria kur ka aprovuar Ligjin për Efiçiencë ka refuzuar krijimin e një fondi pasi që sipas tyre nuk ka mjete financiare. Por, ne po e shohim kryeministrin që po proklamon fonde të ndryshme të investimeve, por nuk e ka pa të arsyeshme të krijojë një fond bazik prej disa milionë eurosh – që sipas hulumtimit tonë do të ulte kërkesën për energji”, argumentoi Demi.

Ai sqaroi se një fond i tillë do të përdorej për të ndihmuar qytetarët e Kosovës për  izolimin e shtëpive, pasi për shkak të izolimit energjia nuk ruhet siç duhet brenda ambienteve të brendshme. 

Rreth 70 për qind të familjeve kosovare jetojnë në hapësira të paizoluara. 

Demi po ashtu shtoi se Kosova ka kapacitete të mjaftueshme të energjisë së ripërtërishme, por duhet hapur rrugët për investime në këtë fushë.

“Ashtu siç e kanë tregu hulumtimet e organizatave të  KOSID-it, por edhe organizatat ndërkombëtare, Kosova ka kapacitet të mjaftueshëm që të prodhojë energji prej burimeve të ripërtërishme. Vetëm prej kapaciteteve të erës Kosova mund të prodhojë rreth 300 megavat në vit energji”, tha më tutje Demi.

Por MZhE-ja mendon se nuk mund të sigurohet energji e qëndrueshme në Kosovë vetë m me burime të ripërtërishme dhe efiçiencë.

“Bazuar në planifikimet për mbylljen e termocentralit 'Kosova A', kërkesa për siguri të furnizimit me energji elektrike në asnjë variant nuk do të mund të mbulohet vetëm nga energjia e prodhuar nga burimet e ripërtërishme si dhe as nga rritja e efiçiencës së energjisë, sado që të investohet në këtë drejtim”, thotë  MZhE-ja. 

Gazeta Jeta në Kosovë i ka dërguar pyetje Zyrës për Informim të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, por kjo zyrë ende nuk ka kthyer përgjigje për atë se si e sheh fushatën e KOSID-it për energjinë. 

Sipas Jeta Xharrës, drejtoreshës së BIRN-it për Kosovë, pjesëmarrëse e fushatës sensibilizuese të KOSID-it, Kosova mund të punësojë rreth 18 mijë persona të cilët do të punonin në izolimin e shtëpive.

 “Zgjidhjet që po ofrojmë kanë për qëllim vetëdijesimin për përfitimet që mund të ketë qytetari i Kosovës nëse bën dy  gjëra: izolon shtëpinë e vet mirë edhe nëse e parakrah një energji të pastër që nuk ia dëmton shëndetin”, tha ajo. 

Sipas KOSID-it, industria dhe prodhimi/konsumi i energjisë janë ndotësit më të mëdhenj të ambientit në Kosovë. Për shkak të sëmundjeve kardio-vaskulare dhe kancerit të mushkërive të shkaktuar nga kjo ndotje, kosovarët dëmtohen rreth 163 milionë euro në vit që shkojnë për blerje barnash. 

Kjo ndotje shkakton edhe rreth 852 vdekje të parakohshme në vit.

Artikuj të tjerë