KOSID indinjatë me sjelljen e presidentes ndaj një peticioni

Konsorciumi  Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm – KOSID ka shprehur revoltë ndaj mungesës së interesimit institucional të presidentes së Kosovës për ta pranuar dhe trajtuar peticionin e nënshkruar prej më shumë se 33.000 qytetarëve të Republikës së Kosovës kundër  rritjes së çmimit të energjisë elektrike.

KOSID gjykon se në pritje të konstituimit të Kuvendit të Kosovës, presidenti që është kreu i shtetit dhe si i tillë përfaqëson unitetin e popullit të Republikës së Kosovës dhe Presidenca që është institucioni i vetëm funksional aktualisht në vend, do të duhet të pranojë vullnetin dhe shqetësimin e 33.000 qytetarëve të Kosovës nëpërmjet pranimit të peticionit të Koalicionit të qytetarëve konsumatorë, sindikatave dhe organizatave joqeveritare.

Për më shumë, peticioni kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike i mundëson qytetarët e Kosovës, nënshkrues të kësaj nisme legjislative, të ushtrojnë të drejtën e tyre në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës (neni 79, Ligji nr. 04/L-025 për nisma legjislative) nëpërmjet së cilës kërkojnë reflektim të gjendjes ekonomike dhe sociale të konsumatorëve të energjisë elektrike në çdo ndryshim ligjor.

Presim, që institucioni i Presidencës të reflektojë ndaj vendimit të mëparshëm për të mospranuar  këtë peticion, i cili shpreh vullnetin e më shumë se 33.000 qytetarë të Republikës së Kosovës.

http://www.kosovalive360.com/kosid-indinjate-me-sjelljen-e-presidentes-ndaj-nje-peticioni.html

Artikuj të tjerë