KOSID: Projekti i ‘Envidity’ i Rrezikshëm për Mjedisin

22 Shtator, 2016 - “Do të ketë rrezikshmëri jashtëzakonisht të lartë për aksidente, të cilat shkaktojnë ndotje të ujërave nëntokësore, të tokës bujqësore, të emetimeve që ndodhin, etj.”, tha hulumtuesi Dardan Abazi.

Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID) ka realizuar një hulumtim rreth projektit për shfrytëzim të qymyrit nga kompania “Envidity”. Sipas hulumtimit, një projekt i tillë përmban rreziqe të mëdha për ambientin.

Emisioni “Jeta në Kosovë” ka ftuar në debat për të diskutuar rreth projektit në fjalë hulumtuesin e kësaj OJQ-je Dardan Abazin.

Abazi tha se KOSID në parim është kundër këtij projekti për procedurën se si po pretendon të licencohet dhe pasojat që mund të ketë implementimi i tij.

“Ne kemi dy kundërshtime themelore ndaj këtij projekti. E para që ndërlidhet me procesin si të tillë në fazën që është deri më tani dhe e dyta është teknologjia në vetvete, duke marrë për bazë hulumtimin që ne kemi bërë dhe që i kemi konsideruar edhe teknologjitë e ngjashme të cilat janë përdorur në botë dhe si kanë rezultuar ato deri më tani”, deklaroi Abazi.

Ai përmendi raste të ngjashme në vende të tjera të botës që kanë rezultuar me ndotje të mëdha që sipas tij me shumë gjasë mund të ndodhin edhe në Kosovë.

“Do të ketë rrezikshmëri jashtëzakonisht të lartë për aksidente të cilat shkaktojnë ndotje të ujërave nëntokësorë, të tokës bujqësore, të emetimeve që ndodhin, etj.”, tha Abazi.

Artikuj të tjerë