KOSID tregon shkeljet ligjore të Qeverisë për “Kosovën e Re”

7 Tetor 2016 - Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm ka akuzuar Qeverinë e Kosovës, veçanërisht Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe ministri Blerand Stavileci, se ka futur vendin në detyrime financiare afatgjata ndaj operatorëve privatë në mënyrë të pastudiuar dhe që qartazi do të kenë kosto të papërballueshme për buxhetin shtetëror dhe ekonomitë familjare.

Kështu thuhet në një komunikatë për media të KOSID-it, sipas të cilëve pas disa takimeve formale me zyrtarët e Bankës Botërore të mbajtura gjatë kësaj jave, kanë arritur të kuptojë një sërë shkelje ligjore dhe procedurale në bisedimet e Qeverisë së Kosovës, Bankës Botërore dhe Contour Global, për ndërtimin e kapacitetit të ri gjenerues me qymyr.

Nëm vazhdim, komunikata e plotë:

Në takime formale me zyrtarët e Bankës Botërore te mbajtura gjate kesaj jave, KOSID ka arritur të kuptojë një sërë shkelje ligjore dhe procedurale në bisedimet e Qeverisë së Kosovës, Bankës Botërore dhe Contour Global, për ndërtimin e kapacitetit të ri gjenerues me qymyr.

1. Procesi i tenderimit për termocentralin “Kosova e Re” ka anashkaluar ligjet e Kosovës, duke bërë që Contour Global të kualifikohet në kundërshtim me parimet e konkurueshmërisë dhe kritereve të Bashkimit Evropian.

2. Qeveria e Kosovës dhe Banka Botërore janë duke refuzuar të kryejnë studimin e Ndikimit Mjedisor dhe Social të projektit tash e sa kohë, studim ky i domosdoshëm për projekte të tilla.

3. Këto të fundit, gjithashtu kanë dështuar të përpilojnë studimin e fizibilitetit ekonomik dhe financiar të projektit të propozuar si dhe në negocimin e një marrëveshje punësimi për popullsinë lokale.
Ky proces është duke u zhvilluar larg publikut dhe në mënyrë jo-transparente!

KOSID, gjithashtu posedon raportin investigativ të Panelit të Inspektimit[1] të Bankës Botërore për zhvendosjen e popullsisë që jeton në afërsi të termocentraleve në kuadër të përgatitjeve për projektin e propozuar “Kosova e Re”. Ky raport ka gjetur shkelje të rënda dhe alarmante me dëmtim të interesit të popullatës. Dokumentin mund ta gjeni të bashkangjitur.

Ministritë përgjegjëse të cilat e posedojnë këtë dokument, përkundër gjetjeve të Panelit të Inspektimit (gjetjet e të cilave janë të listuara më poshtë), refuzojnë të adresojnë problemet që kanë shoqëruar zhvendosjen e dhunshme të popullsisë.

1. Qytetarët e Hades kanë pësuar dëmtime serioze të ekonomive familjare, (humbje të aseteve ekonomike dhe sociale) si pasojë e evakuimit emergjent të ndodhur në vitin 2004, ku një sërë institucionesh ndërkombëtare si (UNMIK, Institucionet e Përkohshme të Kosovës dhe më vonë Qeveria e Kosovës) kanë qënë të përfshira në këto zhvendosje masive të dhunshme të popullsisë.

2. Paneli i Inspektimit konstaton, se Korniza e Politikes së Zhvendosjes (dokumenti i propozuar nga Banka Botërore) dhe i keq implementuar nga Qeveria e Kosovës (respektivisht Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor) ka dështuar të zhvendosë popullsinë e Hades sipas standardeve të vetë Bankës Botërore dhe për pasojë ka rënduar jetën e qytetarëve.

3. Që nga viti 2004 e deri më tani, Qeveria e Kosovës e keq-udhëzuar prej Bankës Botërore ka dështuar që të realizojë parimin bazik të të drejtave të njeriut për jetë me dinjitet i cili garantohet me Kushtetutë të Kosovës.
Nga faktet e përmendura dhe gjendja e përshkruar më lartë, ky proces, kryekëput i padrejtë, nxjerr në pah mugesën e transparencës së Qeverisë së Kosovës, e cila duke dashur të përfundoj këtë proces jo transparent, është duke injoruar me qëllim dhe paramendim gjetjet që tregojnë se ndikimi i termocentralit dhe hapjes së mihjeve të reja për furnizim me qymyr është katastrofale dhe me pasoja afat-gjate. Këto pasoja reflektojnë negativisht në jetën e qytetarëve, zhvillimin ekonomik dhe dëmtojnë sistemin financiar të vendit. Nga përmbajtja e dokumenteve kuptohet qartë se asnjë qeveri me përgjegjësi dhe në respekt të sundimit të ligjit nuk do duhej të përfshihej në projekte që dëmtojnë interesin e qytetarëve.

Qeveria e Kosovës e veçanërisht Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Ministri Blerand Stavileci, mban përgjegjësi ligjore duke e futur vendin në detyrime financiare afatgjata ndaj operatorëve privatë në mënyrë të pa-studiuar dhe që qartazi do të kenë kosto të papërballueshme për buxhetin shtetëror dhe ekonomitë familjare.

Artikuj të tjerë