KOSID dhe Zyra e BE-së në Kosovë diskutuan për Efiçiencën e Energjisë

Prishtinë, 27 Qershor, 2017 – Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID), në bashkëpunim me Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, në kuadër të “Javës së Diplomacisë Klimatike 2017 në Kosovë”, organizuan tryezën diskutuese me temën “Rruga përpara për Efiçiencën e Energjisë në Kosovë.” Gjatë tryezës u diskutua rreth politikave të Kosovës për Efiçiencën e Energjisë, planet e veprimit dhe masat e marra deri më tani, si dhe u shtjellua mbi mundësitë kryesore dhe barrierat që çojnë drejt një prodhimi të qëndrueshëm të energjisë në vend.    

Rinora Gojani, nga KOSID, u shpreh se investimet në efiçiencën e energjisë duhet të shikohen si masa të domosdoshme për vendin, pasi që kanë potencialin për t’i ulur dukshëm shpenzimet e energjisë dhe krijimin e vendeve të punës. “KOSID, si një ndër promotorët më të zëshëm të zhvillimit të qëndrueshëm në Kosovë, beson se skenari më i mirë për Kosovën do të ishte kalimi nga prodhimi i sasive më të mëdha të energjisë te ngritja e efiçiencës elektrike dhe nga përdorimi i lëndëve djegëse fosile te përdorimi i burimeve të ripërtërishme. Kjo do t’i mundësonte Kosovës të përmbushë kërkesat e saj për energji me çmim të përballueshëm,” tha Gojani. Ajo gjithashtu shtjelloi rreth rëndësisë së krijimit të një Fondi për Efiçiencë të Energjisë që do të zbatonte një program nacional për efiçiencë, si dhe plotësim ndryshimin e Ligjit për Efiçiencën e Energjisë i cili do të rregullonte edhe sektorin privat, e jo vetëm atë publik, duke qenë se ky sektor konsumon afro 78 përqind të energjisë në vend.  

Zëvendës-Udhëheqësi i Ekipit për Projektin e Efiçiencës së Energjisë në Kosovë nga GIZ, Avni Sfishta, tha se Kosova stagnon në përdorimin e masave stimuluese për kursimin e energjisë elektrike në raport me vendet e rajonit, duke mos zbatuar në tërësi ligjin dhe planin e veprimit mbi efiçiencën e energjisë në vend. Sfishta tha se: “Kosova duhet çuar tutje politika që mbështesin aplikimin e projekteve të Efiçiencës së Energjisë, pasi që ato kontribuojnë në promovimin e masave më të fuqishme dhe specifike për përdorimin më të gjelbër, më të mirë, dhe më të qëndrueshëm të energjisë në

 

Kosovë. Gjithashtu, duhet punuar në ngritjen e debateve publike në mes të akterëve relevant dhe sektorit të bizneseve në mënyrë që të hapet rruga për investime të mundshme në rrugën e efiçiencës.”

Luigi Brusa, Kryesuesi i Sektorit për Bashkëpunim nga Zyra e BE-së në Kosovë, tha se efiçienca e energjisë është komponentë themelore e angazhimit të BE-së në synimin për t’i ofruar asistencë Kosovës që të arrijë siguri më të madhe të energjisë. “Zyra e Bashkimit Evropian është e përfshirë në përmirësimin e performancës së energjisë në Kosovë, ku së bashku me Bankën Botërore ka bashkuar forcat në krijimin e një mekanizmi financiar që do të ofrojë hua në ngritjen e efiçiencës së energjisë për ndërtesat publike. Andaj, institucionet lokale vendimmarrëse, në bashkëpunim me, dhe asistim nga, akterë relevant ndërkombëtar, duhet të marrin për bazë ndryshimet e politikave energjetike aktuale në drejtim të nxitjes së programeve për efiçiencë në Kosovë – kështu duke i ndërlidhur ato politika me kursimin e energjisë,” tha Brusa.   

Përfaqësuesi nga KOSID, njëherit dhe udhëheqësi i këtij debati, Dardan Abazi, tha se efiçienca e energjisë duhet konsideruar si një shtyllë e rëndësishme për dekarbonizimin e Kosovës si dhe duhet theksuar mundësitë që ofron për zhvillim të përgjithshëm ekonomik dhe social.

Në diskutimin e hapur, përfaqësues nga institucionet vendore dhe organizatave të shoqërisë civile u pajtuan se është e rëndësishme që publiku i gjerë të informohet mbi rëndësinë e masave të efiçiencës së energjisë në vend – duke qenë element kyç për zhvillimin ekonomik, social e mjedisor të Kosovës.

“Java e Diplomacisë Klimatike 2017 në Kosovë” organizohet nga Zyra e BE-së, e cila si qëllim kryesor ka vetëdijësimin e qytetarëve mbi temat rreth ndotjes së ajrit, menaxhimit të mbeturinave dhe efiçiencës së energjisë në vend.  

Albumi me foto nga ngjarja: https://goo.gl/Hv2rwv 

Artikuj të tjerë