Publikimi i studimit “Efiçienca për Zhvillim: Ekonomiksi i Efiçiencës së Energjisë në Kosovë”

21 Maj 2014 - Efiçienca e energjisë duhet parë si njëra nga shtyllat qëndrore të përpjekjeve të qeverisë jo vetëm për të përmbushur qëllimin fundamental të dekarbonizimit të Kosovës duke tkurrur kërkesën për energji, por për faktin se ky investim është i ndërlidhur ngushtë me ecurinë e zhvillimit ekonomik dhe social. Kjo është gjetja kryesore e studimit “Efiçienca për Zhvillim: Ekonomiksi i Efiçiencës së Energjisë në Kosovë” i botuar sot nga Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) në kuadër të Konsorciumit Kosovar të Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID). Ky studim fokusohet në tre tregues kryesor, siç janë: rritja ekonomike, papunësia edhe standardi i jetës.

Qëllimi kryesor i këtij studimi është që të motivojë ndërhyrjen e politikës publike për të shqyrtuar mundësinë e optimizimit të përdorimit të energjisë në mënyrë që duke reduktuar faturat të ofrohet komoditet për familjet në rend të parë.

Analiza targeton vetëm ekonomitë familjare sepse janë ato që nga mos vetëdija dhe shprehitë joracionale dëmtojnë standardin vetanak jetësor. Prandaj studimi vënë në pah rëndësinë që qeveria e Kosovës të kthejë vëmendjen në masë të madhe tek ekonomitë familjare. Në vitin 2011, një familje në Kosovë ka shpenzuar mesatarisht 1,210 euro për energji elektrike që në bazë mujore i bie rreth 100 euro. Nga të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës për vitin 2012, tregojnë se 30 përqind e shpenzimeve të ekonomisë familjare ndahen për shpenzime të banimit, kategori kjo e cila mbulon edhe shpenzimet e energjisë elektrike. Prandaj përdorimi joefiçient apo edhe ngritja e çmimit të energjisë elektrike do të varfërojnë shportën e qytetarëve të Kosovës edhe më tej.

Analiza është e ndarë në katër pjesë. Në pjesën e parë identifikohet gjendja aktuale e efiçiencës së energjisë në Kosovë, përpjekjet e qeverisë si dhe shpalosen në detaje masat që kërkohen për të arritur nivelin e izolimit termik deri në atë pikë ku investimi shpaguhet me efiçiencë. Më pas në pjesën e dytë shtjellohet ekonomiksi i efiçiencës i cili analizon në mënyrë të detajuar përfitimet potenciale që mund të reflektohen në bruto produktin vendor (BPV), nivelin e papunësisë si dhe standardin jetësor. Në fund është hartuar një plan i cili si pikë strategjike vë vetëdijesimin qytetar dhe lehtësirat që duhet të ofrojë qeveria përkrah masave ndëshkuese që duhet aplikuar për të parandaluar dështimin.

Studimi përmban një sërë rekomandimesh për institucionet shtetërore të cilat janë konsideruar të domosdoshme për ndryshimin e gjendjes aktuale dhe janë hartuar duke pasur parasysh nevojat aktuale të Kosovës. Në këtë kuptim, rekomandimet e këtij punimi synojnë të jenë bazë e ndryshimit të politikave aktuale në drejtim të nxitjes së programeve për efiçiencë në Kosovë dhe përmirësimit të gjendjes ekonomike të familjeve duke aplikuar masat për izolimin e shtëpive të cilat reflektojnë në reduktimin e shpenzimeve për muaj.

Artikuj të tjerë