Komunikatë për Media

14 Maj, 2015 - Duke marrë parasysh faktin që sot Kuvendi i Republikës së Kosovës pritet që të vendos për kërkesat e 33.000 qytetarëve mbi çmimin e rrymës, KOSID apelon tek të gjithë deputetët e Kuvendit që të kenë parasysh vullnetin e qytetarëve të shprehur në këtë Peticion. 

KOSID rikujton që është përgjegjësi e çdo deputeti, pavarësisht qëndrimeve të tij/saj politike, që të marr parasysh të gjitha kërkesat e listuara në peticionin qytetar,  si dhe të mos lejoj që këto të fundit të ndryshohen dhe të shndërrohen në objekt të interesave të veçanta partiake.  

KOSID dëshiron që të vë në vëmendje të deputeteve të Kuvendit të Kosovës që Peticioni i 33.000 qytetarëve  i obligon këta të fundit  dhe kërkon nga ta që të marrin veprimet në vijim: 

1. Të rekomandoj që ZRRE të anuloj Vendimin V_645_2014 e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë të datës 29 gusht 2014, sidomos duke njohur faktin që rrethanat e jashtëzakonshme (me rastin e shpërthimit në Kosovën A) që u përdoren si arsyetim për rritjen e çmimit të energjisë kanë kaluar;

2. Shkarkimin e anëtareve të Bordit të ZRRE-se, duke rikujtuar dështimin e këtyre të fundit që të mbrojnë interesin publik dhe të qytetarëve të Republikës së Kosovës, si dhe,

a) Mos marrjen për bazë të gjendjes sociale dhe ekonomike të konsumatorëve me rastin e vendosjes së tarifave të reja, ashtu siç kërkohet me nenin 1 të Ligjit për ZRRE.

b) Ndikimin politik të anëtarëve të Bordit, me ç’rast Bordi i ZRRE nuk ka marrë vendim për tarifat e energjisë para datës 31 mars 2014, atëherë kur kanë skaduar tarifat e energjisë, por duke marrë vendim menjëherë pas zgjedhjeve nacionale të 8 qershorit 2014.

3. Të obligoj Qeverinë që të sjell në Kuvend propozimet për ndryshimin e Ligjit nr. 03/L-146 për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, ku do të largohej TVSh prej 16% nga fatura e energjisë elektrike.                     

4. Kuvendi i Kosovës të anuloj vendimin e saj dhe të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale për rentën prej 3 euro për ton qymyri të shfrytëzuar.

5.Të obligoj Qeverinë qëtë sjell në Kuvend propozimet për ndryshimin e  Ligjit Nr.03/L-185 për Zyrën e Rregullatorit të Energjisë, sipas së cilitdo të obligohet ZRRE të ndryshoj rregullat për vendosjen e çmimeve. Po ashtu, përmes këtij Ligjit të ri për ZRRE, Kuvendi duhet të obligojë Bordin e ZRRE që përveç ndryshimit të rregulloreve për vendosjen e çmimeve, të aprovoj një rregullore për mënyrën e përllogaritjes së gjendjes sociale dhe ekonomike të konsumatorëve të energjisë, ashtu siç kërkohet me nenin 1, pika 4, të Ligjit aktual për ZRRE-në.

Duke njohur faktin që ky peticion përmbledh vullnetin e 33,000 qytetarëve tëKosovës, dhe njëherësh, është iniciativa më e madhe e qytetarëve të Kosovës që është vënë para Kuvendit të Kosovës që nga themelimi i tij, dhe dështimi i Kuvendit që të marrë për bazë këtë peticion, si të tërë, do të përbënte një precedent negativ në zhvillimin e mëtutjeshëm të demokracisë përfaqësuese në Kosovë. Ky peticion kalon përtej interesave individuale dhe politike, dhe si i tillë adreson një shqetësim qytetar dhe që meriton përgjigjen e duhur nga ana e institucioneve të Kosovës, në veçanti të Kuvendit të Kosovës.

Artikuj të tjerë