Letër drejtuar Bordit të ZRRE: "Qëndrimet e KOSID në lidhje me propozimin e strukturës së re tarifore"

Prishtinë, 30 Mars 2017 - KOSID ka dërguar letër zyrtare Anëtarëve të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) në të cilën ka shpalosur qëndrimet në lidhje me propozimin e strukturës së re tarifore. 

Ne letër është shpeguar se në bazë të kalkulimeve të bëra nga KOSID, del që faturat e rrymës për pjesën e shoqërisë që harxhon më pak energji elektrike do të pësojnë rritje. Në të njejtën kohë, propozimi i bërë nxitë konsumin e energjisë elektrike dhe rrezikon që përveç çmimeve më të larta të u shkaktojë qytetarëve edhe kosto të importit të shtrenjtë të energjisë elektrike në kohën e pikut. Propozimi gjithashtu dëmton bizneset 0.4 kV-Kategoria II (Dy Tarifor) të cilët në bazë të raporteve tuaja kanë një volum të konsiderueshëm të konsumit. 

KOSID gjithashtu ua ka përcjellur Bordit të ZRRE-së analizën e zhvilluar rreth strukturës së re të propozuar, bashkë me rekomandimet për ZRRE. Kliko këtu për analizën. 

Shihni më poshtë letrën e plotë drejtuar Anëtarëve të Bordit të ZRRE-së.

                                                                  30 mars 2017

 

Nga: Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID)

Për: Anëtarët e Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE)

Lënda: Qëndrimet e KOSID në lidhje me propozimin e strukturës së re tarifore

Të nderuar Anëtarë të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji,

Më datë 17 mars 2017, Zyra juaj ka publikuar propozimin për Strukturë të Re Tarifore me të cilat bëhet ndryshimi i strukturës ekzistuese të tarifave. Ndonëse i kuptojmë ndryshimet e propozuara nga këndi i liberalizimit të tregut, ne nuk mund të mos marrim parasysh aspektet sociale e ambientale të ndryshimeve të propozuara. KOSID ka bërë disa kalkulime nga të cilat del që faturat e rrymës për pjesën e shoqërisë që harxhon më pak energji elektrike do të pësojnë rritje. Në të njejtën kohë, propozimi i bërë nxitë konsumin e energjisë elektrike dhe rrezikon që përveç çmimeve më të larta të u shkaktojë qytetarëve edhe kosto të importit të shtrenjtë të energjisë elektrike në kohën e pikut.

Në bazë të kalkulimeve tona, sipas këtij propozimi, një familje që harxhon rreth 300-400 kWh energji elektrike në një muaj të verës do të paguaj 30-40% më shumë për faturën e energjisë elektrike. Duke qenë se është familje që harxhon pak, gjatë muajve të dimrit, kjo familje do të paguaj vetëm 1-3% më lirë faturën e rrymës. Në mesatare vjetore kjo familje do të harxhojë minimum 15% më shtrenjtë energjinë elektrike. Në të njëjtën kohë, ulje në përqindje pothuaj të njëjtë ka një familje që harxhon mbi 2000 kWh energji elektrike në muaj. Këtyre shpenzuesve që përveç kostos mjedisore e shëndetësore të prodhimit të energjisë nga linjiti i shkaktojnë edhe ngarkesë më të madhe rrjetit, do t’u lirohet fatura e energjisë. Kjo në një kohë kur papunësia është mbi 30% dhe kur niveli i varfërisë është ndër më të lartët në Evropë. Ulja e tarifës fikse nuk është reflektuar në të hyrat e përgjithshme të cilat në bazë të propozimit janë për 3 milion më shumë sesa po të hiqej diferenca nga ulja tarifës fikse.

Propozimi gjithashtu dëmton bizneset 0.4 kV-Kategoria II (Dy Tarifor) të cilët në bazë të raporteve tuaja kanë një volum të konsiderueshëm të konsumit. Marrë parasysh që në bazë të Agjencisë së Statistikave të Kosovës një pjesë tejet e madhe e bizneseve regjistrohen si biznese bujqësore, të akomodimit e biznese të tjera shërbyese të cilat zhvillojnë aktivitetin e tyre kryesor në muajt e verës. Tarifat e propozuara, në këta muaj të verës do t’u shkaktoj këtyre bizneseve nga 9.09 €/kWh në tarifë të lartë në 13.88 €/kWh; nga 4.54 €/kWh në tarifë të ultë në 5.78 €/kWh. Konsiderojmë që së paku është dashur të konsiderohen kostot që kjo do t’i shkaktojë aktivitetit biznesor, të bëhen llogaritje dhe t’u thuhet hapur që në krahasim me muajt e njëjtë të vitit 2016 do të ketë një rritje gjatë muajve të verës.

Ne kemi mbështetur një treg liberal të energjisë elektrike, veçanërisht nën një treg të integruar rajonal. Megjithatë, konsiderojmë që kjo duhet arritur me një qasje më të balancuar, që nuk dëmton shtresat e ndjeshme të shoqërisë dhe nuk thellon pabarazinë sociale. Ndër vlerat themeltare të shtetit tonë është edhe barazia sociale e sublimuar në nenin 7 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Për këtë, ju si anëtarë të Bordit të ZRRE-së, keni parasysh ato familje kosovare që nuk kanë mundësi të paguajnë më shtrenjtë energjinë elektrike ose që kanë investuar në masa të efiçiencës dhe kujdesen të mos harxhojnë më shumë sesa 600 kWh. Ju përfaqësoni një institucion të cilit i është besuar rregullimi i një fushe me interes publik dhe si i tillë vendimet që keni përpara, e veçanërisht ky vendim, prekë drejtpërdrejtë kursyesit e energjisë dhe shtresat e ndjeshme të saj.

Bashkangjitur me këtë letër ne po ua përcjellim një analizë që e kemi bërë rreth strukturës së re të propozuar bashkë me rekomandimet për ZRRE. Ju kërkojmë me mirësjellje ta keni parasysh këto elemente, para se të vendosni për ndryshimet e propozuara.

 

Me respekt,

Visar Azemi

Koordinator

KOSID

Artikuj të tjerë