KOSID, më datë 22 Shkurt 2017 ka parashtruar padi ndaj Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik (MZHE) në Gjykatën Themelore në Prishtinë, për moslejimin e qasjes në dokumente zyrtare lidhur me detajet për Termocentralin e propozuar “Kosova e Re”.

KOSID ka kërkuar nga MZHE qasjen në dokumentet e poshtëshenuara për TC Kosova e Re, për të cilat ka pranuar përgjigje negative:

  1. - Thirrja për aplikim e cila i është dërguar kompanive të parakualifikuara për ndërtimin e TC “Kosova e Re”
  2. - Ndryshimet në pakon tenderuese që kanë ndodhur nga thirrja e parë për parakualifikim e deri më tani, dhe arsyet për ndryshimet e tilla

KOSID ka reaguar ndaj refuzimit të qasjes në dokumente publike, pasi që bazuar në nenin 4 dhe 6 të Ligjit për Qasje në Dokumente Publike (Ligji Nr. 03/L-215), thuhet se dokumentet publike janë të hapura për publikun në bazë të kërkesës së drejtpërdrejt dhe se çdo kërkues i dokumentit ka të drejtë në qasje të dokumenteve të institucioneve publike. 

Andaj, KOSID kërkon nga Gjykata të nxjerrë aktgjykim përmes të cilës detyron MZHE të lejoj qasje në dokumentet e prezantuara më lartë. Mbi të gjitha, duhet theksuar fakti se procedurat për ndërtimin e termocentralit Kosova e Re janë në përfundim e sipër, kurse publiku i gjerë nuk di asgjë rreth këtij procesi.

Proceset e tilla dhe të ngjashme si kjo, qytetarin për të cilin po bëhen këto projekte, e ka lënë në një terr informacionesh, duke e bërë kështu secilin qytetar të painformuar në lidhje me kushtet e projektit të përcaktuara nga Qeveria e Kosovës, por edhe me lartësinë e kostos së këtij projekti.

Duke parë rëndësinë e këtij procesi për shtetin e Kosovës, për secilin qytetar, por veçanërisht koston multi-milionëshe të ndërtimit të këtij termocentrali, mos-transparenca e MZHE-së në lidhje me këtë proces është tërësisht e papranueshme!